Helmimi nga ushqimi
Si ndodh dhe si mund ta parandaloj helmimin nga ushqimi?
Helmimi nga ushqimi ndodh kur konsumojmë ushqim të prekur nga bakteret e dëmshme, viruset dhe parazitët. Kjo situatë ndodh kur:
- Ushqimi nuk është gatuar ose ringrohur si duhet.
- Ushqimi gatuhet nga një person që nuk ka larë duart para gatimit ose që nuk ndihet mirë me shëndet.
- Ushqimi nuk është ruajtur në temperaturën e duhur—për shembull është lënë për një kohë të gjatë jashtë frigoriferit ose ngrirjes.
- Ushqimi është konsumuar pas datës së skadencës.
- Kafshët ose insektet kanë rënë në kontakt me ushqimin.
Mbani mend, çdo lloj ushqimi mund të shkaktojë helmim nëse nuk trajtohet ose ruhet në mënyrë të sigurt!
Është shumë e rëndësishme të ndiqen rregullat bazë të higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit. Po kështu, vezët dhe mishi duhet të gatuhen mirë për t’u konsumuar në mënyrë të sigurt.
Shumica e rasteve të helmimit nga ushqimi shkaktohet nga bakteret e ushqimeve të pagatuara të cilat bien në kontakt me ushqimin që është gati për t’u konsumuar.
Çfarë është Salmonela?
Salmonela është një lloj bakteri që mund të shkaktojë te njerëzit sëmundjen e quajtur salmonelozë. Ky bakter është shkaku i zakonshëm i shpërthimit të sëmundjeve të shkaktuara nga ushqimi dhe i 80 000 rasteve me salmonelozë të raportuara çdo vit në Evropë.
Tek ushqimet, Salmonela gjendet kryesisht te vezët dhe mishi i freskët i pulës, gjelit dhe derrit. Mund të përhapet te njerëzit nëpërmjet ushqimeve të ndotura nga bakteret.
Simptomat dhe rreziqet
Te simptomat e salmonelozës te njeriu përfshihen temperatura, diarreja dhe të prerat në bark. Nëse hyn në qarkullimin e gjakut, kjo sëmundje mund të jetë kërcënuese për jetën.
Si mund ta parandaloj?
Salmonela shkatërrohet duke gatuar mirë ushqimin, por ndotja mund të ndodhë përsëri nga trajtimi jo duhur i ushqimeve të gatuara dhe/ose nga rënia e tyre në kontakt me produktet e freskëta. Për të qenë të sigurt:
- Gatuani plotësisht vezët, shpendët dhe mishin për të eliminuar bakteret.
- Mbajini të ndarë ushqimet e pagatuara nga ushqimet e gatuara për të parandaluar ndotjen ndërmjet tyre.
- Përdorni enë gatimi, dërrasa për prerje dhe sipërfaqe të pastra për çdo lloj ushqimi.
- Lani mirë duart para dhe gjatë trajtimit të ushqimeve.
- Ruani ushqimet që prishen në frigorifer nën temperaturën 5°C për të ngadalësuar ose ndaluar rritjen e baktereve.
Zakone të thjeshta si këto në kuzhinë mund të ulin ndjeshëm rrezikun nga salmoneloza.
Në shtëpi, mund të parandaloni infeksionin nga Salmonela duke gatuar mishin dhe vezët në mënyrën e duhur. Edhe zbatimi i rregullave bazë të higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit si larja e rregullt e duarve dhe mbajtja e ushqimeve të gatuara larg produkteve të pagatuara do të ulë rrezikun nga sëmundjet e shkaktuara nga ushqimet.
Valentina Rizzi, mikrobiologe e ushqimit në EFSA.
Shkencëtarët evropianë po studiojnë mënyrën me të cilën patogjenët si Salmonela ndotin ushqimet si frutat, perimet, drithërat dhe erëzat. Perimet me gjethe që konsumohen të pagatuara dhe perimet si qepa e shpargulli janë kombinimet me rrezik më të lartë.
Nëpërmjet bashkëpunimit ndërmjet Shteteve Anëtare të BE-së, Komisionit Evropian, EFSA-së dhe dhe ECDC-së (Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) janë zbatuar programe efektive për të ulur prekjen e shpendëve nga Salmonela dhe për të mbrojtur konsumatorët në mbarë Evropën.
Çfarë është Listeria?
Listerioza është sëmundje serioze ushqimore e shkaktuar ngaListeria monocytogenes, një bakter rezistent që zhvillohet në mjedis, madje mund edhe të shumohet në temperatura të ftohta, si ato në frigorifer. Ky bakter mund të ndotë si ushqimet e pagatuara edhe ato të gatuara, sidomos ushqimet tejet të përpunuara si sallamet, djathërat e buta, peshku i tymosur dhe ushqimet e gatshme për konsum.
Edhe pse e rrallë, listerioza është sëmundje e rëndë me shkallë të lartë shtrimesh në spital dhe vdekjesh, të cilat prekin veçanërisht grupet e cenueshme si gratë shtatzëna, të sapolindurit, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobët.
Simptomat dhe rreziqet
Simptomat e listeriozës janë të ndryshme, ato shfaqen në formën e simptomave të një gripi të lehtë si të përzierat, të vjellët e diarreja dhe shkojnë deri te ndërlikimet e rënda si meningjiti. Mbrojtja nga Listeria përfshin trajtimin e sigurt të ushqimit, ftohjen efektive në frigorifer dhe konsumin e menjëhershëm të ushqimeve të përgatitura.
Si mund ta parandaloj?
Listeria nuk i mbijeton dot gatimit të duhur (në temperatura mbi 65°C), por mund të ndotë përsëri ushqimin pas gatimit, gjatë ruajtjes ose trajtimit. Për të ulur rrezikun për veten:
- Mbajeni temperaturën në frigorifer nën 5°C, siç e rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të kufizuar ose ndaluar rritjen e baktereve.
- Gjatë përgatitjes ose ruajtjes, ndani më vete ushqimet e pagatuara, ato të gatuara dhe ushqimet që janë gati për konsum.
- Përdorni enë gatimi të pastra dhe të veçanta për lloje të ndryshme ushqimi.
- Lani mirë duart para dhe pas trajtimit të ushqimit.
- Konsumoni menjëherë ushqimet e gatshme për konsum dhe mos konsumoni pas datës së skadencës ushqimet që prishen.
Listeria është bakter i vështirë që mund të mbijetojë dhe të rritet në mjedise të ftohta, por gatimi i duhur dhe trajtimi me kujdes i ushqimit mund ta mbajë larg atë në mënyrë efektive.
Eleonora Sarno, mikrobiologe e ushqimit në EFSA.






























