Alergjenët ushqimorë
Ku mund të gjeni informacion nëse keni një reaksion alergjik ndaj ushqimit?
Një alergji ushqimore ndodh kur sistemi imunitar reagon ndaj një përbërësi specifik në ushqim. Megjithëse reaksionet alergjike janë shpesh të lehta, ato mund të jenë serioze. Dhe e vetmja mënyrë për të menaxhuar gjendjen është moskonsumimi i produktit.
Legjislacioni evropian, bazuar në të dhëna shkencore, siguron deklarimin e alergenëve në etiketat ushqimore.
Si mund të preken njerëzit nga alergjenët ushqimorë?
Reaksioni alergjik mund të shkaktohet nga një sasi shumë e vogël e një përbërësi ushqimor, ndaj të cilit një person është i ndjeshëm. Simptomat e reaksionit alergjik mund të jenë të lehta (kruajtje ose skuqje), por mund të përparojnë në simptoma më të rënda (të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe me raste edhe anafilaksi-shok), deri në fatalitet.
Intolerancat ushqimore shkaktohen nga vështirësia e njeriut për të tretur substanca të caktuara, të tilla si gluteni, dhe u shkaktohet fryrje, ngërçe në stomak dhe diarre.
Pra, identifikimi i alergenëve në etiketat ushqimore është shumë i rëndësishëm.
Cilët përbërës ushqimorë shkaktojnë reaksione alergjike?
Njerëzit zakonisht vuajnë nga alergjitë ndaj frutave arrore, molusqeve dhe disa frutave. Në BE ekzistojnë 14 alergenë ushqimorë që duhen deklaruar në rast se janë pjesë përbërëse e produktit ushqimor.
- Drithërat që përmbajnë gluten - gruri, thekra, elbi, tërshëra.
- Krustacet, p.sh., gaforret, karkalecat e detit, karavidhet
- Vezët
- Peshku
- Kikirikët
- Soja
- Qumështi
- Frutat arrorë - bajamet, lajthitë, arrat, arra shqeme, arra pekan, arra braziliane, fëstëkë, arra makadamia/Queensland
- Selinoja
- Mustarda
- Farat e susamit
- Dioksidi i squfurit dhe sulfitet që përdoren si konservantë (në përqendrime më shumë se 10 mg/kg ose 10 mg/L për sa i përket totalit të dioksidit të squfurit)
- Lupinat
- Molusqet, p.sh., midhjet, gocat e detit, kallamarët, kërmijtë
Personat alergjikë mund të shmangin përdorimin e produkteve të paketuara ose jo, duke verifikuar informacionin mbi përmbatjen e alergenëve.
Alergenët ushqimorë në shifra*
- 1% e popullsisë së BE-së – 4,5 milionë njerëz
- 75% e reaksioneve alergjike te fëmijët shkaktohen nga veza, kikirikët, qumështi i lopës, peshku dhe frutat arrore
- 50% e reaksioneve alergjike te të rriturit shkaktohen nga frutat (mollët, dardhat qershitë, mjedrat, luleshtrydhet dhe bajamet, perimet si selinoja, karotat dhe barishtet aromatike, si dhe frutat arrorë të ndryshëm dhe kikirikët)
Kërkesat e etiketimit për përbërësit alergjikë në produktet ushqimore janë thelbësore në mënyrë që njerëzit me alergji të shmangin përbërësit që mund t’i sëmurin ata. Përveç dhënies së këshillave për përdorim në etiketim, shkencëtarët vlerësojnë gjithashtu përbërësit e rinj në rast se janë alergjenë të mundshëm dhe shikojnë se si faktorë të tillë si përpunimi i ushqimit mund të ndikojë në potencialin alergjik.
Antonio Fernandez Dumont, specialist i sigurisë së proteinave pranë EFSA.
Shkencëtarët evropianë përgjegjës për alergjitë ushqimore, kontribuan me këshillat e tyre shkencore në procesin legjislativ për etiketimin e ushqimit. Shkenca e alergjive është në studim të vazhdueshëm dhe mund të përmirësohet në të ardhmen.





























