Additives

Aditivët ushqimorë

Last reviewed date:

A duhet të shqetësohemi dhe pse përdoren ato?

Aditivët ose shtesat ushqimore janë substanca që i shtohen ushqimit, për qëllime të ruajtjes ose përmirësimit të sigurisë, freskisë, shijes, strukturës ose pamjes së tij. Në Bashkimin Evropian, legjislacioni rregullator mbi përdorimet e këtyre substancave është shumë i rreptë dhe të gjithë aditivët duhet të kalojnë vlerësime rigoroze të sigurisë përpara se të miratohen për përdorim në ushqim.

Për çfarë përdoren aditivët ushqimorë?

Aditivët ushqimorë vijnë në forma të ndryshme, duke filluar nga konservantët dhe ëmbëlsuesit deri tek emulgatorët dhe ngjyruesit ushqimorë. Ata luajnë rol kyç në rastin e produkteve të përpunuara, për qëllime të sigurisë së tyre dhe ruajtjen e konsistencës, ndërsa produkti ndjek të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor, nga fabrikat deri te pjatat tona.

Disa shembuj:

  • Konservantët: nitratet dhe nitritet në produktet e mishit, peshkut dhe djathit
  • Përmirësuesit: dyoksidin e squfurit në verë, i cili ruan shijen.
  • Ngjyruesit: Ngjyruesit ushqimorë natyralë ose sintetikë që përmirësojnë vizualisht produktin.
  • Agjentët mpiksës: Gomë ksantani (E 415), që gjendet shpesh në salca.

Si mbrohen konsumatorët?

Përpara autorizimit të një aditivi të ri, ose përdorimit të ri të propozuar të një aditivi ekzistues, shkencëtarët e EFSA vlerësojnë rigorozisht sigurinë e tij për konsum njerëzor. Gjatë këtij procesi shqyrtohet ndërveprimi i aditivit me ushqimin, efektet e mundshme në shëndetin e njeriut, si edhe nivelet maksimale të cilat konsiderohen të sigurta për konsum ditor. Përveç vlerësimit të aditivëve të rinj, EFSA rivlerëson rregullisht aditivët aktualisht të lejuar për t’u siguruar që vazhdojnë të përmbushin standardet aktuale të sigurisë ushqimore.

Nëse një aditiv i autorizuar nga Komisioni Evropian, do të përdoret në ushqim, ai duhet të deklarohet në etiketë. Kjo u mundëson konsumatorëve të dinë saktësisht se çfarë po konsumojnë dhe të bëjnë zgjedhje të informuara të produkteve që konsumojnë.

Të gjithë aditivët ushqimorë vlerësohen mbi sigurinë e tyre për konsum njerëzor. Konsumatorët mund të kenë besimin se këto substanca plotësojnë standardet strikte të sigurisë.

Camilla Smeraldi, toksikologe pranë EFSA.

Si të identifikoni aditivët në etiketat ushqimore?

Aditivët përfshihen gjithmonë në listën e përbërësve. Kërkoni për:

  1. Funksionin: Pse përdoret aditivi (p.sh. agjent mpiksës, ngjyrues).
  2. Identitetin: Ose numrin E të aditivit (p.sh. E 450) ose emrin e tij specifik (p.sh. difosfat dinatriumi).

Aditivët ushqimorë përfshihen gjithmonë në listën e përbërësve të ushqimeve në të cilat përdoren.

Etiketat e produktit duhet të identifikojnë si funksionin e aditivit në produktin përfundimtar (p.sh. ngjyrues, konservues) edhe substancën specifike të përdorur, duke iu referuar numrit përkatës E ose emrit të tij (p.sh. E 415 ose gomë ksantani).

biskota të dekoruara

Lidhje e dobishme