Pasaportat e bimëve
Pasaporta e bimëve është një dokument që përmban informacione thelbësore të nevojshme për tregtimin e farave, fidanëve, bimëve dhe pemëve midis bizneseve në BE.
Pasaportat e bimëve janë të detyrueshme për identifikimin e origjinës së bimëve dhe produkteve bimore, duke siguruar gjurmueshmëri dhe pajtueshmëri me rregulloret për shëndetin e bimëve.
Kush i lëshon pasaportat e bimëve?
Pasaportat e bimëve mund të lëshohen vetëm nga Organizatat Kombëtare për Mbrojtjen e Bimëve (NPPO-të) ose nga biznese të regjistruara dhe të autorizuara zyrtarisht prej tyre. Për t’u regjistruar, bizneset duhet të përmbushin standardet lidhur me shëndetin e bimëve, higjienën dhe mbajtjen e dokumentacionit. Pas miratimit, ato pajisen me një numër regjistrimi fitosanitar dhe mund të fillojnë të lëshojnë pasaporta bimësh për bimë dhe produkte të kualifikueshme.
Cilat janë bimët dhe produktet që kërkojnë një pasaportë bimësh?
Bimët dhe produktet e mëposhtme duhet të shoqërohen nga një pasaportë bimësh.
- Materialet shumëzuese: Materialet e përdorura për shumëzimin e bimëve, siç janë farat, fidanët, zhardhokët dhe nënshartesat.
- Bimët në vazo të vogla, bimët që mbillen në shtretër ose bimët në vazo të mëdha që shiten për qëllime zbukurimi ose konsumi, siç janë lulet dhe bimët dekorative.
- Këtu gjeni një listë shteruese.
Çfarë informacionesh përmban pasaporta e bimëve?
Pasaporta e bimëve lëshohet në formë katrore apo drejtkëndore dhe konsiston në disa elemente fikse:
- Në skajin e sipërm majtas vendoset flamuri i Bashkimit Evropian në bardhë e zi.
- Në skajin e sipërm djathtas shënohen fjalët “pasaportë bimësh”.
- Germa “A” pasohet nga emri botanik i llojit të bimës në fjalë.
- Germa “B” pasohet nga kodi ISO i shtetit anëtar të prodhuesit, pasuar nga një vizë dhe nga numri i regjistrimit fitosanitar të operatorit profesional; Për më shumë informacione, klikoni këtu.
- Germa “C” pasohet nga kodi i gjurmueshmërisë së bimës. Mund të vendoset edhe një kod QR, hologram, çip apo mbartës tjetër të dhënash që i përket kodit të gjurmueshmërisë.
- Germa “D” pasohet nga kodi ISO i vendit të origjinës apo të prodhimit.
Pse duhet të blejmë bimë të pajisura me pasaportë?
Pasaporta e bimëve mund të lëshohet vetëm për bimë që përmbushin të gjitha kërkesat. Ndonëse vetë klientët nuk i përdorin pasaportat e bimëve, ata përfitojnë nga garancitë që ato ofrojnë.
Përdorimi i pasaportës nga bizneset garanton se bimët që ju blini i janë nënshtruar një vlerësimi profesional, janë të gjurmueshme dhe nuk mbartin parazitë dhe sëmundje.
A mund të udhëtojnë bimët me pasaportën e tyre të bimëve?
Po, bimët mund të udhëtojnë brenda BE-së me pasaportën e tyre të bimëve. Pasaporta e bimëve shoqëron bimët, farat ose materialet bimore gjatë tregtimit të tyre midis operatorëve të biznesit.
Ajo jep informacione kyç që garantojnë se produkti përmbush rregulloret për shëndetin e bimëve, duke mundësuar një tregti më të lehtë e më të sigurt nëpër BE.
Ndonëse pasaporta e bimëve nuk u lejon përdoruesve të gjurmojnë çdo detaj të rrugëtimit të bimës, ajo shërben si provë se bima ka përmbushur standardet e nevojshme fitosanitare. Përmes përdorimit të pasaportave të bimëve, autoritetet dhe tregtarët mund të monitorojnë lëvizjen e bimëve, duke ndihmuar në parandalimin e përhapjes së organizmave të dëmshëm dhe duke u ofruar klientëve siguri.



























