Udhëtimi dhe bimët
Po udhëtoni botën? Tregohuni të ndërgjegjshëm ndaj bimëve!
Parazitët e bimëve i kanë shumë qejf udhëtimet. Ata lëvizin me shpejtësi.
Në tetor të vitit 2013,Xylella fastidiosa u zbulua për herë të parë në Itali. Me shumë gjasa, ky bakter patogjen i bimëve kishte udhëtuar drejt BE-së nga Amerika e Veriut ose nga ajo Qendrore apo Jugore, ku është i përhapur në shumë zona.
Rezultati? Një krizë mjedisore dhe ekonomike me efekte shkatërruese.
Në rajonin e Pulias në Itali, bakteri shfarosi një të tretën e 60 milionë pemëve të ullirit që ka rajoni, duke sjellë humbje mbi vlerën një miliard euro. Më pas, bakteri u zbulua edhe në Francë, Spanjë dhe Portugali.
Atëherë, si mund të sigurohemi që kjo histori të mos përsëritet?
Duke vendosur kontrolle më të rrepta mbi mallrat që hyjnë në BE jo vetëm përmes pikave kufitare dhe porteve, por edhe përmes bagazheve tona.

Admirojeni, por mos e merrni me vete
A e dini se të gjitha bimët dhe produktet bimore, madje edhe lulet e këputura, duhet të jenë të pajisura me një certifikatë fitosanitare për të hyrë ligjërisht në BE?
Autoritetet kombëtare për mbrojtjen e bimëve në vendet jashtë BE-së janë përgjegjëse për lëshimin e certifikatave fitosanitare. Ky dokumentacion, i cili u lëshohet tregtarëve të bimëve dhe produkteve bimore, deklaron se mallrat nuk mbartin parazitë dhe janë të përshtatshme për eksport.
(Me të mbërritur në brigjet e BE-së, mallrat duhet të inspektohen sërish dhe më pas të pajisen me një pasaportë bimësh, e cila autorizon lëvizjen e tyre nëpër BE.)
Kur udhëtojmë jashtë shtetit, mund të tundohemi që të sjellim me vete në shtëpi suvenirë nga udhëtimi ynë, si për shembull një fidan të bukur nga një shëtitje në xhungël, një degëz të gjelbër nga një ecje në natyrë ose një kurorë lulesh të punuar me dorë nga një treg vendas.
Në dukje, ato janë të padëmshme. Madje, mund edhe të kalojnë kontrollin doganor pa u vënë re. Mirëpo, nëse nuk janë të pajisura me autorizimin e duhur, ato mund të mbartin parazitë me efekte shkatërruese mbi ekosistemet evropiane.
Prandaj, nëse po eksploroni vendet jashtë kufijve të BE-së apo nëse po vizitoni territoret tona përtej detit*, mos merrni me vete bimë dhe produkte bimore, në mënyrë që të ndihmoni në mbrojtjen e llojeve tona vendase dhe ruajtjen e ekosistemeve të shëndetshme.

Nuk keni asgjë për të deklaruar? Pa të shohim…
Frutat e freskëta në bagazhin tuaj të dorës mund të duken si një zgjedhje e shëndetshme përballë ushqimeve që ofrohen në avion, por ato mund të mbartin patogjenë ose parazitë të dëmshëm.
Përpara fluturimit tuaj të kthimit, gjeni pak kohë për të kontrolluar bagazhet tuaja të dorës dhe bagazhet e regjistruara, për të parë nëse në to ka pjesë bimësh (gjethe, degë, rrënjë etj.) ose suvenirë me materiale bimore.
Kësisoj, jo vetëm që do të shmangni gjobat në doganë, por do të jepni edhe kontributin tuaj në mbrojtjen e kopshteve, pyjeve dhe kulturave bujqësore të Evropës.
Bëhuni një influencues udhëtimesh për shëndetin e bimëve
Mediat sociale janë një mjet i fuqishëm për krijimin e zakoneve dhe përhapjen e trendeve. JU mund të ndihmoni që shëndeti i bimëve të vendoset në qendër të vëmendjes
Studimet tregojnë për një nivel të ulët ndërgjegjësimi midis udhëtarëve lidhur me rreziqet që paraqet sjellja e bimëve të huaja në BE për biosigurinë. Duke ngritur zërin, ju mund të ndihmoni që kjo situatë të ndryshojë.
Prandaj, herën tjetër që do të postoni fotografi të frymëzuara nga natyra, shtoni hashtagun #PlantHealth4Life.
Nuk i dihet se kë mund të frymëzoni...
Shkarkoni paketën e mediave sociale të #PlantHealth4Life dhe bashkojuni lëvizjes për mbrojtjen e ekosistemeve tona nga parazitët e bimëve dhe patogjenët.
*Territoret e BE-së përtej detit përfshijnë sa më poshtë: Grënlanda, Aruba, Bonaire, Kuraçao, Saba, Sint Eustatius, Sint Marteen, Polinezia Franceze, Territoret Jugore dhe Antarktike Franceze, Kaledonia e Re, Saint Barthélemy, St. Pierre et Miquelon dhe Ishujt Wallis et Futuna.



























