Kopshtari e përgjegjshme
Si të bëheni një kopshtar i përgjegjshëm
Në Shqipëri, kopshtaria është një pasion. Ne mburremi me ballkonet tona të mbushura plot e përplot me lule shumëngjyrëshe, me kopshtet tona të mirëmbajtura të perimeve dhe me shtëpitë e zbukuruara me lulishte, kaçube dhe pemë.
Për të pasur një kopsht të shëndetshëm e të qëndrueshëm, duhet t’ia nisim duke mbjellë lloje bimësh vendase, duke reduktuar varësinë nga pesticidet dhe duke mbajtur larg dëmtuesit. Çdo kopshtar e di se, nëse dëmtuesit e bimëve nuk zbulohen në kohë, ata mund të çojnë dëm muaj të tërë përkushtimi e përkujdesjeje, duke i mbushur kopshtet me gjethe të vyshkura dhe lule të thara.
E ndërkohë që dëmtuesit e zakonshëm të kopshteve thjesht thyejnë zemrat e kopshtarëve, dëmtuesit invazivë që vijnë nga jashtë Shqipërisë mund të sjellin pasoja katastrofike. Këto lloje jovendase kërcënojnë jo vetëm kopshtin tuaj, por edhe sigurinë ushqimore, ekonominë dhe mjedisin tonë natyror.
Le t’i ndalim që në fillesë!
A mund ta shoh pak dokumentin tuaj të identifikimit?
A dini se bimët, shkurret, farat dhe fidanët që lëvizin nëpër Shqipëri dhe tregtohen brenda saj duhet të jenë të pajisura me një pasaportë bimore?
Ky vërtetim zyrtar tregon se bima nuk mbart dëmtues. Ai përfshin gjithashtu vendin e origjinës dhe një barkod ose hologram për gjurmueshmëri.
Prandaj, përpara se të mbillni një bimë të re në kopshtin tuaj, sigurohuni që ajo të jetë e pajisur me pasaportë bimore, e cila shfaqet zakonisht në etiketë apo në vetë vazon ku bima është mbjellë.

Keni në plan të bëni blerje online? Blini bimë vendase!
Interneti është një mjet global për blerjen e bimëve nga jashtë Shqipërisë. Por, përpara se të klikoni “bli”, ju, si kopshtarë të përgjegjshëm, duhet të dini se të gjitha bimët që hyjnë në Shqipëri duhet të jenë të pajisura me një certifikatë fitosanitare.
Autoritetet kombëtare për mbrojtjen e bimëve në vendet jashtë Shqipërisë janë përgjegjëse për lëshimin e certifikatave fitosanitare, të cilat vërtetojnë se bimët dhe mallrat nuk mbartin dëmtues dhe janë të përshtatshme për eksport. Certifikatat fitosanitare inspektohen në pikat doganore, por tregtia në internet është më pak e kontrolluar.
Cila është këshilla më e mirë? Edhe kur blini online, sigurohuni që të blini nga tregtarë të respektuar të Shqipërisë, të cilët ofrojnë bimë të bukura e të shëndetshme që u përshtaten më së miri kushteve tona klimatike.

Përhapni mesazhin, jo dëmtuesit
Të krijosh një kopsht në shtëpinë tënde është një rrugëtim magjik, që sjell shpeshherë fryte të përjetshme. Kopshtarëve u pëlqen shumë të ndajnë këshilla nëpërmjet forumeve, grupeve komunitare apo mediave sociale.
Kjo ju bën ju ambasadorë të fuqishëm për shëndetin e bimëve!
- Shihni dhe shpërndani intervistat dhe videot e fushatës #PlantHealth4Life
- Shkarkoni dhe postoni materialet e fushatës sonë në kanalet tuaja të mediave sociale
- Përdorni hashtagun #PlantHealth4Life për t’iu bashkuar lëvizjes
Le t’i mbrojmë kopshtet e Shqipërisë së bashku!



























