Two hands planting seeds in a tray with compartments, surrounded by gardening tools

Kopshtari e përgjegjshme

Last reviewed date:

Si të bëheni një kopshtar i përgjegjshëm 

Në Evropë, kopshtaria është një pasion. Ne mburremi me ballkonet tona të mbushura plot e përplot me lule shumëngjyrëshe, me kopshtet tona të mirëmbajtura të perimeve dhe me shtëpitë e zbukuruara me lulishte, kaçuba dhe pemë.

Për të pasur një kopsht të shëndetshëm e të qëndrueshëm, duhet t’ia nisim duke mbjellë lloje bimësh vendase, duke reduktuar varësinë nga pesticidet dhe duke mbajtur larg parazitët e dëmshëm. Çdo kopshtar e di se, nëse parazitët e bimëve nuk zbulohen në kohë, ata mund të çojnë dëm muaj të tërë përkushtimi e përkujdesjeje, duke i mbushur kopshtet me gjethe të vyshkura dhe lule të thara.

E ndërkohë që parazitët e zakonshëm të kopshteve thjesht thyejnë zemrat e kopshtarëve, parazitët invazivë që vijnë nga jashtë BE-së mund të sjellin pasoja katastrofike. Këto lloje jovendase kërcënojnë jo vetëm kopshtin tuaj, por edhe sigurinë ushqimore, ekonominë dhe mjedisin tonë natyror. 

Le t’i ndalim që në gjenezë!

A mund ta shoh pak dokumentin tuaj të identifikimit? 

A dini se bimët, shkurret, farat dhe fidanët që lëvizin nëpër BE dhe tregtohen brenda saj duhet të jenë të pajisura me një pasaportë bimësh?

Ky vërtetim zyrtar tregon se bima nuk mbart parazitë dhe sëmundje të dëmshme. Ai përfshin gjithashtu vendin e origjinës dhe një barkod ose hologram për gjurmueshmëri.

Prandaj, përpara se të mbillni një bimë të re në kopshtin tuaj, sigurohuni që ajo të jetë e pajisur me pasaportën e bimës, e cila shfaqet zakonisht në etiketë apo në vetë vazon ku bima është mbjellë.

plant health tree

Keni në plan të bëni blerje online? Blini bimë vendore! 

Interneti është një mjet global për blerjen e bimëve nga jashtë BE-së. Por, përpara se të klikoni “bli”, ju, si kopshtarë të përgjegjshëm, duhet të dini se të gjitha bimët që hyjnë në BE duhet të jenë të pajisura me një certifikatë fitosanitare.

Autoritetet kombëtare për mbrojtjen e bimëve në vendet jashtë BE-së janë përgjegjëse për lëshimin e certifikatave fitosanitare, të cilat vërtetojnë se mallrat nuk mbartin parazitë dhe janë të përshtatshme për eksport. Certifikatat fitosanitare inspektohen në pikat doganore, por tregtia në internet është më pak e kontrolluar.

Cila është këshilla më e mirë? Edhe kur blini online, sigurohuni që të blini nga tregtarë të respektuar të BE-së, të cilët ofrojnë bimë të bukura e të shëndetshme që u përshtaten më së miri kushteve tona klimatike. 

Cilat janë këto bimë? 

Për të ndihmuar në reduktimin e rrezikut që paraqesin parazitët e huaj të bimëve për kopshtet, parqet dhe pyjet tona, BE-ja ka krijuar një listë të përkohshme të bimëve të importit me rrezik të lartë

👉 Kontrolloni listën e bimëve me rrezik të lartë këtu

Garden with Pesty

Përhapni mesazhin, jo parazitët 

Të krijosh një kopsht në shtëpinë tënde është një rrugëtim magjik, që sjell shpeshherë fryte të përjetshme. Kopshtarëve u pëlqen shumë të ndajnë këshilla nëpërmjet forumeve, grupeve komunitare apo mediave sociale. 

Kjo ju bën ju ambasadorë të fuqishëm për shëndetin e bimëve! 

  • Shihni dhe shpërndani intervistat dhe videot e fushatës #PlantHealth4Life
  • Shkarkoni dhe postoni materialet e fushatës sonë në kanalet tuaja të mediave sociale
  • Përdorni hashtagun #PlantHealth4Life për t’iu bashkuar lëvizjes 

Le t’i mbrojmë kopshtet e BE-së së bashku!